Në fund të vitit 2024, N’Zon kishte tashmë një website funksional, një sistem bazë menaxhimi dhe një komunitet të vogël, por në rritje, anëtarësh. Ajo që na mungonte ende ishte një mënyrë më e mirë që anëtarët dhe vizitorët e rinj të ndërvepronin drejtpërdrejt me hapësirën, në kohë reale dhe nga telefoni i tyre. Hapi i radhës ishte i natyrshëm: krijimi i një platforme hibride digjitale, ku një web application dhe një aplikacion mobile të funksiononin së bashku, me rezervimet dhe pagesat të integruara direkt në sistem. Ky hap u bë i mundur falë bashkëfinancimit nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD / BERZH), përmes programit të saj Advice for Small Businesses. Programi operon në Shqipëri që prej vitit 1996 dhe ka mbështetur më shumë se 810 ndërmarrje përmes projekteve të konsulencës të bashkëfinancuara me vetë kompanitë përfituese, me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian, Italia, Luksemburgu, Suedia dhe fondet e vetë EBRD. Modeli i programit bazohet në ndarjen e kostove për projekte të fokusuara që ndihmojnë bizneset e vogla të përmirësojnë fusha si transformimi digjital, marketingu dhe operacionet. Për N’Zon, ky projekt ishte N’Zon Space. Projekti u zhvillua nga dhjetori 2024 deri në prill 2025 dhe përfshiu të gjithë ciklin e zhvillimit: dizajnin UI/UX, zhvillimin frontend dhe backend, testimin e sistemit, trajnimin e stafit dhe integrimin e platformës në operacionet e përditshme. Rezultati ishte një platformë hibride, e aksesueshme si në web ashtu edhe përmes aplikacionit mobile, e ndërtuar rreth funksioneve që anëtarët tanë përdorin më shpesh: rezervimin e hapësirave dhe shërbimeve, menaxhimin bazë të rezervimeve, pagesat online dhe komunikimin direkt me ekipin tonë përmes një sistemi të thjeshtë chat-i. Për anëtarët tanë, kjo do të thotë që eksperienca e coworking është tashmë direkt në telefonin e tyre. Ata mund të shohin tavolinat e disponueshme, zyrat private dhe sallat e takimeve, të kontrollojnë disponueshmërinë, të bëjnë rezervime nga telefoni, të kryejnë pagesa dhe të komunikojnë me ekipin tonë kur është e nevojshme — pa komunikimin e vazhdueshëm me mesazhe që kërkohej më parë. Një vizitor që vjen për herë të parë mund të zbulojë N’Zon, të rezervojë një day pass dhe të vijë direkt në hapësirë pa qenë e nevojshme të dërgojë asnjë mesazh paraprakisht. Për ekipin tonë, ndikimi ka qenë po aq i rëndësishëm. Procese që më parë kërkonin disa biseda dhe regjistrime manuale në tabela, tani mund të realizohen vetëm me disa klikime. Koha që kursejmë mund të përdoret për aktivitetet e komunitetit, mbështetjen e anëtarëve dhe përvojën personale që karakterizon N’Zon. N’Zon Space nuk u konceptua asnjëherë si versioni përfundimtar i platformës. Sistemi aktual u ndërtua qëllimisht si një pikënisje funksionale dhe fleksibël: një bazë e fortë digjitale që mund të zhvillohet paralelisht me vetë hapësirën. Ka ende shumë mundësi për funksione të reja, përmirësime dhe integrime ndërsa N’Zon vazhdon të rritet, dhe kjo fleksibilitet ishte pjesë e projektit që nga fillimi. Ky projekt është gjithashtu pjesë e një konteksti më të gjerë. Misioni i EBRD është të mbështesë zhvillimin e ekonomive të tregut përmes investimeve në projekte që nxisin rritjen e qëndrueshme dhe inovacionin. Në Shqipëri, banka ka angazhuar më shumë se 1.9 miliardë euro në programe dhe iniciativa të ndryshme, përfshirë edhe mbështetjen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Për N’Zon, përzgjedhja për bashkëfinancim nënkuptonte të bëheshim pjesë e këtij kuadri më të gjerë — si një biznes i krijuar lokalisht që kontribuon, në mënyrën e vet, në digjitalizimin dhe modernizimin e ekosistemit kreativ dhe sipërmarrës në Shqipëri. Falënderojmë EBRD për besimin në potencialin e projektit dhe për mbështetjen në një moment të rëndësishëm të zhvillimit të N’Zon.

Blog
EBRD: Si ndërtuam N’Zon Space
Si na ndihmoi bashkëfinancimi nga EBRD të ndërtonim N’Zon Space, duke sjellë rezervimet, pagesat dhe komunikimin me anëtarët në një platformë të vetme digjitale.